ESKILI
PROMETEU I LIDHUR
Kushtuar Safetit dhe Xhelalit
Parathënie
"Prometeu i lidhur" është pjesa e parë e një triologjie të shkruajtur mbi 2400 vjet më parë nga tragjiku i madh grek, Eskili nga Athina. Dy pjesët e tjera kanë humbur., ashtu sikundër ka ndodhur edhe me shumë nga veprat e tij (ai pati shkruajtur mbi 70 tragjedi, nga të cilat kanë arritur deri tek ne vetëm 7). Por edhe ato pak vepra që kanë mbetur mjaftuan për ta quajtur Eskilin tragjikun më të madh të të gjitha kohërave, ndërsa "Prometeu i lidhur" ka qenë dhe është një manifest i fuqishëm kundër tiranisë dhe të gjitha shfaqjeve negative, me të cilat ajo shoqërohet.
Tragjedia është ndërtuar mbi bazën e konfliktit midis titanit Promete, kryengritësit të papërkulur e krenar, dhe kryezotit të Olimpit, tiranit Zeus. Me pak fjalë përmbajtja është kjo: Prometeu dënohet nga Zeusi që të lidhet me pranga në një shkëmb në vendin më skajor të botës. Një shqiponjë vjen ditë për ditë për të ngrënë një copë nga mëlçia e tij, e cila rritet përsëri të nesërmen. Shkaku i këtij ndëshkimi është se Prometeu u vodhi zjarrin perëndive dhe ua dha njerëzve "si dhuratë të çmuar, që u bë për ta mësues i arteve, i çdo mjeshtërie e mjet për të jetuar" . Ky konflikt ndodh sepse Zeusi është armik i racës njerëzore. "Ai donte t'i faronte" njerëzit e vdekshëm "dhe një racë krejt tjetër të krijonte përmbi dhe".
Por ky konflikt është ndërtuar me shumë linja paralele, që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Motivi kryesor i veprës është "njeridashja" e Prometeut dhe lidhja e tij e ngushtë me racën njerëzore. Ai nuk u ka dhënë njerëzve vetëm zjarrin. Ai është "mirëbërës" i njerëzisë. I shtyrë nga keqardhja për njerëzit që "Si hije ëndrrash krejt të mjegulluara, Të turbullta, të mjera zvarriteshin Nga njëri brez në tetrin" , ai u dha atyre intelegjencën, u dha shkrimin, mjetet e lundrimit, zbuti kafshët për ta, u mësoi të ndërtonin shtëpija, të punonin metalet etj. Lidhja e tij me racën njerëzore përforcohet edhe nga fakti që një bir njeriu (Herkuli) ka për ta çliruar atë nga prangat, në të cilat është mbërthyer.
"Njeridashja" e shpie Prometeun në një konflikt të papajtueshëm me Zeusin, sundimtarin e ri të Olimpit, i cili qeveris me dorën hekur dhe "ligjin bën si ia do qejfi". Edhe pse e pati ndihmuar Zeusin për ta rrëzuar të jatin, Kronosin, nga froni, .Prometeu ndëshkohet pa mëshirë prej tij, "Sepse nuk ka asnjë tiran në botë Që të mos vuaj nga sëmundj' e tillë: Të mos u zërë besë shokëve kurrë".
Prometeu është i ndërgjegjshëm për mëkatin që ka bërë kundër perëndive në dobi të njerëzve. Ai është i ndërgjegjshëm edhe për ndëshkimin që po merr. Ai guxon të matet me qiellin, megjithëse Oqeani i jep një këshillë tjetër: "Me qiellin mos u mat! ... Ti e sheh, Në qiell sundon Një zot i egër dhe i pamëshirshëm, një zot që nuk i jep hesap askujt" . Prometeu e pranon sakrificën dhe është i vendosur ta provojë fatin e tij deri në fund. Ai e di se tiranët nuk mund të sundojnë përherë. Shpejt lindin rivalët e tyre dhe ata shemben më me turp se pararendësit e tyre: "Por le të mbahet Zeusi me të madh, Fodull, do të përulet ai një ditë! ... Asgjë nuk e shpëton atë nga rënia plot turp e tmerr!"
Akti i Prometeut është një vetësakrifikim për përmirësimin e kushtit njerëzor. Ky është një martirizim, i cili ka shumë ngjashmëri me atë të Jezu Krishtit, që gjithashtu shkoi në kryq për hir të njerëzve. Vetësakrifikimi i tyre është i madhërishëm. Ai nuk na paraqitet vetëm si një akt heroik, ai shoqërohet edhe nga një dobësi prekëse, që i bën të dy më njerëzor. Të dy me ndërgjegje e pranojnë këtë martirizim, që të dy heroikisht shkojnë drejt tij, por në të njëjtën kohë ata nuk mund të mos ndjejne keqardhje për veten. Sikundër Krishti që thërret në vigjilje të kryqëzimit të tij "O Zot, o Zot përse më braktise!", ashtu edhe Prometeu, duke folur për vuajtjet e tij, thotë : "Më dhemb kur flas, më dhemb edhe kur hesht, As vetë nuk di kur mua më dhemb më shumë" .
New York, 1998